';
Rules of Community cohabitation

Të drejtat dhe detyrimet e bashkëbanorëve 

  • Të mos pengoje bashkëpronarët e tjerë në të drejtat e tyre të gëzimit të objekteve, që janë në bashkëpronësi të detyrueshme.
  • Të paguajë tarifën e administrimit edhe në rastet kur nuk banon apo e ka dhënë njësinë me qira apo në përdorim të të tretëve.
  • Të lejojë kryerjen e inspektimeve dhe të riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij.
  • Të veprojë ose mosveprojë në kushtet e një kujdesi maksimal për të mbrojtur dhe/ose mos dëmtuar pronën e përbashkët dhe/ose pronën individuale në pronësi të bashkëpronarëve të tjerë të ndërtesës së banimit, gjatë periudhës së përdorimit dhe mospërdorimit të njësisë individuale nga ana e tyre.
  • Së bashku me çdo anëtar të familjes së tij, mik, të ftuar, qiramarrës, përdorues të njësisë të veprojnë me kujdesin maksimal sipas parashikimeve të këtij kreu gjatë kohës së përdorimit të njësisë individuale dhe ambienteve e elementeve të bashkëpronësisë të përshkruara në aktin e bashkëpronësisë.
  • Të gjithë bashkëpronarët duhet të tregojnë kujdesin maksimal dhe të respektojnë rregullat e higjienës dhe ato të ruajtjes kundër zjarrit sipas dispozitave në fuqi.

Kufizime në përdorimin e pronës individuale 

  • Ndalohet vendosja e pllakateve apo çfarëdolloj reklame tregtare mbi fasadën, mbi hyrjen, apo nëpër kangjellat pa miratimin paraprak nga administratori.
  • Parkimet në pronësi individuale, të mbyllura ose të hapura, nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera përveç parkimit të mjeteve motorike.
  • Të gjitha njësitë e banimit do të përdoren vetëm për qëllime banimi.
  • Asnjë shërbim, aktivitet tregtie ose aktivitet e veprimtari e dëmshme ose fyese nuk do të kryhet brenda zonave të përbashkëta, dhe nuk do të kryhet asnjë veprim që mund të përbejë shqetësim, bezdisje për fqinjësinë ose bashkëpronarët e tjerë
  • Nuk lejohet të kryhet asnjë veprim i dëmshëm ose i rrezikshëm në asnjë njësi banimi ose në objektet në pronësi të përbashkët, që mund të shkaktojë e të rrisë nivelin e pasigurisë së jetës, shëndetit apo pronës tërësisht apo në elemente të veçanta të tyre.
  • Çdo bashkëpronar duhet të sigurojë mirëmbajtjen e pajisjeve që mund të shkaktojnë zjarr si rrjeti elektrik, bombolat e gazit etj.
  • Është e ndaluar hedhja e cigareve ose tavllave të duhanit, përdorimi i qirinjve ose zjarreve të hapura, të pambikëqyrura, të cilat mund të bëhen shkase për zjarr.
  • Ndalohet vendosja e vazove me lule mbi davancalin e dritareve apo ballkone, nëse ato nuk janë të ankoruara siç duhet dhe nëse nuk janë të pajisura me mbajtëse të përshtatshme për mos lejimin e kullimit të ujit dhe mbeturinave të tjera.

Rregulla për përdorimin e mjediseve të përbashkëta  

  • Asnjëri prej bashkëbanorëve nuk duhet të përdorë sende apo mjete që mund të sjellin dëmtime apo rreziqe për sendet apo personat të cilat për shkak ere, zhurme e të ngjashme me këto, bien ndesh me dekorin dhe me karakterin e qytetëruar të rezidencës. Në rast të kundërt administratori ndërhyn duke përdorur të gjitha mjetet e lejueshme për eliminimin e tyre.
  • Është e ndaluar zënia qoftë edhe e përkohshme e pjesëve të përbashkëta si edhe ndërtimi i çfarëdolloj natyre, qoftë edhe provizor, mbi lulishte rruge etj. Në rast të kundërt administratori ndërhyn duke përdorur të gjitha mjetet e pranueshme për eliminimin e tyre, duke përdorur të gjitha kompetencat e përcaktuara sipas Rregullores.
  • Në asnjë rast nuk do të përdoren zonat e përbashkëta si vend depozitimi për sendet vetjake, qoftë edhe i përkohshëm, ose të rrethohen ato me qëllim përdorimi nga ana e një ose disa bashkëpronarëve.
  • Ndalohet shkundja e tapeteve, rrobave dhe shtresave nga ballkonet, apo brenda mjediseve të përbashkëta, përveç në vendet të caktuara për këtë qëllim
  • Është gjithashtu e ndaluar depozitimi i mbeturinave në vende të tjera të ndryshme nga ato të treguara nga administratori dhe lënia e tyre jashtë kazanëve përkatës.
  • Mbeturinat duhet të mbështillen sipas mënyrës së duhur  përpara se të depozitohen në kontejnerët ose kazanët e mbeturinave. Duhet të tregohet një kujdes i veçantë që të mos ndotet sipërfaqja përreth kontejnerëve ose kazanëve. Është rreptësisht e ndaluar depozitimi i tyre në sheshpushimet e shkallëve, në ashensor, ose në çdo ambient të përbashkët.
  • Asnjë cigare, bisht cigareje, llullë, puro ose mbetje të tjera nuk lejohen të vihen ose të hidhen në zonën e parkimit, korridore, ashensorë, shkallë, trotuare, oborre, kopshte ose elemente të tjera të përbashkëta. Ndalohet pirja e duhanit brenda ashensorit, korridoreve, shkallëve dhe  nëpër çdo ambient tjetër të përbashkët të mbyllur.
  • Nuk lejohet të ndoten zonat e destinuara për përdorim të përbashkët. Nëse aktivitete të kufizuara shkaktojnë ndotje në këto zona, mbeturinat do të hiqen menjëherë sapo të mbarojnë aktivitetet
  • Heqja e sendeve masive të tilla, si dyshekë, mobilie, orendi, materiale ndërtimi, ose çdo material tjetër në sasi të madhe etj. duhet të kryhen duke njoftuar Administratorin të paktën 3 ditë përpara, i cili do të shprehet duke caktuar datën se kur duhet të nxirren jashtë këto mbeturina masive dhe nuk do të vendosen përjashta jo më shpejt se një ditë para ditës së mbledhjes së tyre. Ndalohet vendosja e tyre, qoftë edhe përkohësisht në mjediset e përbashkëta.
  • Ndalohet përdorimi i ashensorëve për transportimin e materialeve të ndërtimit apo lëvizjen e mjeteve të rënda.
  • Nuk lejohet të kryhen aktivitete ose të mbahen në njësitë e banimit ose në pronën e përbashkët, sende të cilat janë të ndaluara nga ligji dhe përbejnë rrezik potencial për sigurinë e jetës, shëndetit të banoreve apo të pronës së tyre individuale apo të përbashkët.

Ruajtja e qetesise

  • Asnjë pronar nuk duhet të shkaktojë ose të lejojë zhurma/muzikë të lartë, që shqetësojnë ose bezdisin pronarët e tjerë të njësive individuale, ose të lejojë të kryhet diçka që do të ndikojë mbi të drejtat, rehatinë dhe rehatisë e pronarëve të tjerë.
  • Radiot, televizorët dhe çdo aparaturë tjetër që lëshon tinguj etj. do të mbahen me zë të ulët, dhe tingujt që mund të lëshohen nga instrumentet muzikore ose të kënduarit duhet të jenë të ulët, në mënyrë që të mos shqetësojnë fqinjët.
  • Asnjë lojë që shkakton zhurmë, ndotje apo dëmtim të pronës nuk lejohet në hapësirat e përbashkëta.

Punime meremetuese

  • Bashkëbanorët e veçantë mund të kryejnë vetëm në mjediset pronë e tyre modifikime të brendshme të cilat nuk cënojnë qëndrueshmërinë e ndërtesës, funksionimin e impianteve të përgjithshme të kompleksit rezidencial dhe normat higjenike e ndërtimore komunale.
  • Secili bashkëbanor është i detyruar të kryejë në mjediset pronë e tij riparimet, moskryerja e të cilave mund të dëmtojë banorët e tjerë, dhe në një rast të tillë pronar i njësisë që  ka shkaktuar dëmin është i detyruar  të ç’dëmtojë pronarin e dëmtuar dhe të riparojë dëmin me shpenzimet e veta.
  • Është e ndaluar absolutisht çdo ndërhyrje në fasadën e objektit dhe çdo punim ndërtimor (duke përfshirë pjergullat, mbyllje të ballkoneve me xham, mbyllje me vetrata të verandave apo ballkoneve) qoftë edhe në pjesën e pronësisë individuale.
  • Për oraret e punimeve ju lutem drejtohuni administratorit të objektit tuaj
  • Për lejet e punimeve ju lutem ndiqni proçedurat në fuqi të shtetit shqiptar

Ndalesat me automjete dhe motoçikleta

  • Bashkëbanorëve u ndalohet të bllokojnë hapësirat që shërbejnë për të kaluar; të parkojnë biçikleta dhe motoçikleta nëpër rrugët e rezidencës, jashtë atyre të përcaktuara për këtë qëllim dhe të lajnë dhe të pastrojnë automjete të çfarëdolloji në hapësirat e përbashkëta të rezidencës.
  • Bashkëbanoret duhet të respektojnë sinjalistikën e përcaktuar dhe kufizimin e shpejtësisë deri në 20 km/orë në lëvizjet me makinë brenda në rezidencë.
  • Bashkëbanorët nuk mund të parkojnë në vënde të tjera pervec atyre te dedikuara per parkimin e mjeteve individuale.

Rregullat mbi mbajtjen e kafshëve shtëpiake

  • Mbajtja dhe/ose rritja e kafshëve, bagëtisë ose shpendëve të çdo lloji, pavarësisht numrit, është e ndaluar brenda të gjitha njësive të banimit ose pronës së përbashkët, me përjashtim të qenve, maceve dhe/ ose zogjve me kafaz që konsiderohen kafshë shtëpiake, me kusht që ata nuk mbahen ose rriten për qëllime tregtie.
  • Qentë të mbikëqyren me kujdesin maksimal, të mbahen me zinxhir dhe të jenë nën kontrollin e pronarëve të tyre sa herë që janë jashtë njësisë individuale dhe nuk lejohet që të vrapojnë të zgidhur në çdo kohë ose të ndërhyjnë në të drejtat, ose rehatinë e banorëve të tjerë.
  • Qentë nuk do të shëtitën në zonat me bar pranë njësive të banimit dhe nëse gjatë kalimit mund të ndodhë të shkaktohet papastërti, zona duhet të pastrohet nga pronari përkatës.
  • Pronarët janë përgjegjës për të gjitha dëmet e shkaktuara nga kafshët e tyre në zonat e përbashkëta dhe në pronat e të tjerëve.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ankimi 

  • Bashkëpronarët mundohen t’i zgjidhin konfliktet me mirëkuptim dhe kur nuk arrihet mirëkuptimi,  administratori ose njëri prej bashkëpronarëve mund t’i drejtohet autoriteteve shtetërose si rregullojnë ligjet në fuqi.
  • Çdo bashkëpronar, mund t’i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e konflikteve qe nuk kanë gjetur zgjidhje me mirëkuptim, ose kur masa e marrë nga njëri prej institucioneve si më sipër, konsiderohet jo e drejtë.

 

Shërbimet e administrimit të hapësirave të përbashkëta 

  • Shërbimi i pastrimit të rezidences, përfshin pastrimin e rrugëve, trotuarëve, dhe pastrimin e mbeturinave nga koshat.
  • Mirëmbajtja dhe kujdesi për lulishtet dhe hapësirat e gjelbra
  • Mbikqyrjen e Sigurisë, që përfshin sistemin e kamerave dhe patrullave
  • Mirëmbajtjen teknike që përfshin shërbimet që lidhen me mirëmbajtjen e zakonshme dhe të veprave dhe impianteve të përbashkëta për gjithë rezidencën, duke përshirë ndriçimin e pjesëve të përbashkëta të objektit, mirëmbajtjen e sistemit për ujërat e zeza, për ujin e pijshëm, për transportin e mbeturinave, ashensorë dhe për sigurimet e ndryshme. Si shembuj të detajuar mund të përmendim zëvëndësimi i llampave të ndriçimit rrugor, ndriçuesit të fasadave, ndriçuesit e shkallëve, mirëmbajtja e përditshme e depozitave, dëmtimeve të vogla në trotuare, kangjellat e rrethimit perimetral, stolat e parkut, koshat e mbeturinave dhe sinjalistika rrugore.
  • Mirëmbajtjen e jashtëzakonshme ose rindërtimin: shërbimet për mirëmbajtjen e jashtëzakonshme si dhe për rindërtimin e pjesëve të përbashkëta.
  • Administrator objektit. Më poshtë gjeni detyrat e administratorit

Detyrat e Administratorit

  • Të disiplinojë përdorimin e sendeve të përbashkëta dhe cilësinë e shërbimeve në interes të përbashkët, në mënyrë që të sigurohet përdorimi sa më i mirë i mjedisit të përbashket, ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për mirëmbajtjen e bashkëpronësisë, përfshirë edhe kontraktimin e subjekteve të treta, kur një gjë e tillë është miratuar nga asambleja e bashkëpronarëve.
  • Të ndërmarre kontrolle periodike, teknike dhe higjieno-shëndetësore për gjendjen e pronës e të objekteve në bashkëpronësi, si sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit, sistemi i ngrohjes qëndrore, ashensorëve, tarracave, sistemi i ndriçimit, prania e insekteve dhe e parazitëve etj. dhe i veprimeve për të zhdukur dëmtimet e pronës apo praninë e faktorëve, që mund të përbëjnë rrezik për epidemi sëmundje etj.
  • Të faturojë, mbledhë dhe kontrollojë për derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore.
  • Te mbajë buxhetin për mirëmbajtje dhe riparime, në zëra të veçantë, në emër të asamblesë.
  • Të kontrollojë kostot dhe pagesat të të gjitha faturave në emër të asamblesë.
  • Të kontrollojë zbatimin e rregullave të bashkëjetesës.
  • Të regjistrojë ashensorin pranë strukturave përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut.

Për më shumë ju lutem referojuni Marrëveshjes së Administrimit të Përbashkët.